Rama: Pezullimi i përkohshëm i lejeve të punës nga SHBA nuk prek vizat për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama në podcastin “Flasim” sqaroi vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar vizat për shtetasit nga 75 vende, ku përfshihet edhe Shqipëria. Sipas kreut të qeverisë, vendimi i administratës amerikane nuk ka të bëjë me ndalim të vizave për Shqipërinë, por me një pezullim të përkohshëm për lejet e punës në SHBA.

“Dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë. Administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të Presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, si Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për lejet e punës, jo vizat për në Amerikë. Kjo lidhet me fenomenin e marrjes së vizës për turizëm apo biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, duke qëndruar për të punuar. Ky është një hap normal në linjën e politikës së re të Presidentit Trump dhe nuk ka lidhje me çfarë është raportuar gabimisht”, tha Rama.

Në shënimet e javës, kryeministri Rama përmendi gjithashtu dy mbledhjet që zhvilloi së fundmi, me qeverinë dhe me grupin parlamentar. Ai theksoi se fokusi ka qenë te domosdoshmëria për të rritur kapacitetin në funksion të negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.