Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin L.M., i akuzuar për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, e parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve të procedimit penal nr. 813/2025, më 9 qershor 2025, rreth orës 15:30, në fshatin Çermë Sektor, Njësia Administrative Tërbuf, Bashkia Divjakë, i pandehuri ka sulmuar me mjet prerës shtetasin F.B., duke e goditur katër herë.
Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar plagë prerëse-shpuese depërtuese në anën e majtë të barkut, me dëmtim të zorrës së trashë, plagë të cilat janë cilësuar të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit.
Ngjarja nuk ka përfunduar me pasoja fatale për shkak të thyerjes së mjetit prerës gjatë sulmit, si dhe ndërhyrjes së personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje. Nga hetimet rezulton se konflikti ka nisur pas një debati verbal me fyerje reciproke mes palëve, pak minuta para sulmit.
Prokuroria Fier thekson angazhimin e saj për ndjekjen penale dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo personi që kryen vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.










