Publikimi i “Agjencisë Europiane të Statistikave” mbi statistikat e energjisë së rinovueshme tregon se rreth 43.11% e energjisë në vendin tonë vjen nga burimet e rinovueshme. Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet me peshën më të lartë të energjisë nga burimet e rinovueshme në Europë, një nivel dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian, që qëndron në 25.2%.
Shqipëria renditet pas shteteve si Islanda me 79.3%, Norvegjia me 77.9% dhe Suedia, Finlanda, Danimarka e Letonia.
Sipas të dhënave të mësipërme të Eurostat, normat më të ulëta të energjisë nga burime të rinovueshme në Europë regjistrohen kryesisht në disa vende të vogla ose me varësi të lartë nga importet fosile. Luksemburgu dhe Belgjika renditen në fund të listës, të ndjekura nga Malta, Italia dhe Holanda.
Në Shqipëri, 105% e energjisë elektrike e konsumuar gjatë vitit 2024 rrjedh nga burime të rinovueshme. Pra, prodhimi i energjisë elektrike nga burime të rinovueshme në Shqipëri ka tejkaluar konsumin vendas, duke arritur në 105% të konsumit final bruto të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për burimet e rinovueshme të energjisë të konsumuara në transport, në vendin tonë vetëm 0.22% e kësaj energjie është e rinovueshme.
Në nivel rajoni, vendi i dytë pas Shqipërisë është Mali i Zi, me 40.8% të energjisë të prodhuar nga këto burime. Serbia është e treta e renditur në nivel rajoni dhe ndiqet nga Maqedonia e Veriut, me 25.8% dhe 21.8% përkatësisht.
Shqipëria renditet e dyta në Europë më përqindjen më të lartë të energjisë elektrike e cila rrjedh nga burimet e rinovueshme, ndërkohë që në vend të parë është Norvegjia, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 47.5%. Nga ana tjetër, Shqipëria e humb pozicionin e saj sa i përket energjisë së rinovueshme e përdorur në transport apo për ngrohje dhe për ftohje. Për energjinë e rinovueshme të përdorur për transport dhe ngrohje e ftohje renditemi poshtë mesatres së Bashkimit Europian.










