Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallë së Parë të Juridiksionit tëPërgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen A.B. për veprën penale ‘Mashtrimi’ më shumë se njëherë parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.
Nisur nga fakti që për këtë shtetase janë bërë edhe kallëzime të tjera nga shtetas të ndryshëm, me këtë procedim janë bashkuar edhe kallëzimi penal nr. 246/2021, procedimet nr. 724 i vitit 2019, nr. 734 i vitit 2019, nr. 95 i vitit 2020, nr. 111/2020, nr. 728 vitit 2019 dhe nr. 512 i vitit 2020.
Nga hetimet, mbi procedimin penal nr.181, datë 16.03.2018, pas denoncimeve të bëra nga shtetas të ndryshëm, rezultoi se e pandehura A.B. në cilësinë e avokates nëpërmjet gënjeshtrës i ka përvetësuar personave të ndryshëm, shuma të ndryshme monetare me pretendime se kjo vlerë i duhej për përfaqësimin si avokate, por në fakt, nga ana e të pandehurës, nuk është hapur asnjë proces gjyqësor apo nuk janë kryer veprimet aministrative apo procedurale të pretenduara prej saj.
Për ta bërë të besueshme pretendimin e saj, në raste të caktuara, ajo i ka dorëzuar shtetasve akte që përmbajtja e tyre nuk përfaqësonte realitetin. Kjo mënyrë veprimi nga e pandehuraështë përdorur edhe në raste të tjera dhe përgjithësisht tëdëmtuarit identifikoheshin shtetas të cilët jetonin jashtë territorit dhe nuk kishin mundësi të ishin prezent në çdo kohë në Shqipëri dhe nuk kishin informacione në lidhje me procedurat gjyqësore apo administrative që pretendonte që ndiqte avokatja në emër të tyre.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka dërguar për gjykim të pandehurën A.B për veprën penale “Mashtrimi” më shumë se njëherë, në dëm të viktimave A.S, K.S, O.Sh dhe D.L, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal dhe të veprës penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në dëm të viktimës M.Sh, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal dhe për veprën penale “Falsfikimi i dokumentave”, parashikuar nga neni 186 pg.3 i Kodit Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që prekin pasurinë dhe të drejtat ekonomike të subjekteve të dëmtuar.











