Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë është bllokuar tërësisht pas një rrëshqitjeje të madhe dheu dhe shkëmbinjsh, vetëm dy muaj pasi u vu në përdorim. Ngjarja ka ndodhur në zonën pranë tuneleve, ku masive të mëdha janë shkëputur pas reshjeve të fundit, duke penguar çdo qarkullim.
Përballë emergjencës, kompania që ka në përgjegjësi mirëmbajtjen e rrugës ka ndërhyrë me hapjen e një bypass-i të përkohshëm, si e vetmja mënyrë për të lejuar lëvizjen e mjeteve.
Shembja konsiderohet problemi më i rëndë që ka shoqëruar këtë projekt, i cili edhe më herët është përballur me defekte të përsëritura.
Rruga, e realizuar me një investim që kap rreth 260 milionë euro dhe me një proces punimesh që u zvarrit për 14 vite, ka dalë jashtë funksionit brenda një kohe rekord. Rrëshqitjet e fundit nxjerrin në pah mungesën e qëndrueshmërisë në strukturë dhe ngrenë pikëpyetje serioze mbi cilësinë e punimeve si dhe mbi vlerësimet gjeologjike të kryera për këtë segment.











