Ballina Shqiperia ime Reshjet intensive në vend – Evakuime në disa qarqe, situata mbetet në...

Reshjet intensive në vend – Evakuime në disa qarqe, situata mbetet në monitorim 24-orësh

Strukturat e emergjencave civile në të gjithë vendin po vijojnë monitorimin 24-orësh të situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në disa zona prurjet e lumenjve janë në rënie, ndërsa në qarqe si Vlora, Lezha dhe Fieri janë kryer evakuime familjesh për shkak të përmbytjeve.

Qarku Vlorë – Tërhiqen ujërat e Vjosës, 10 familje të evakuuara

Në zonën e Novoselës janë evakuuar 7 familje, ndërsa tre të tjera pranë urës së Mifolit, për shkak të prurjeve të larta të lumit Vjosa. Të gjithë banorët janë sistemuar te të afërmit.

Në Himarë është rikthyer qarkullimi në aksin Shën Vasil–Nivicë, ndërsa në Sarandë po vijon monitorimi i aksit Sarandë–Delvinë dhe puna për forcimin e argjinaturës së Bistricës. Ekipet kanë ndërhyrë edhe në Ksamil, Metoq e Vrion për largimin e ujërave.

Qarku Fier – Prurjet e Vjosës nën vëzhgim të rreptë

Në zonat Kashisht–Çervën–Ferras janë përmbytur 50–60 hektarë tokë bujqësore dhe është evakuuar një familje.

Rreth 30 oborre banesash kanë prezencë uji, ndërsa si masë paraprake është stakuar furnizimi me energji i pompave të ujësjellësit në Kafaraj.

Lumi Seman paraqet prurje të rritura, por aktualisht pa rrezik për banesat.

Qarku Korçë – Rritje e nivelit në Devoll e Dunavec

Në Dërsnik, Bulgarec dhe lagjen nr. 6 po kryhet devijimi i përkohshëm i ujërave, ndërsa në Sheqeras vijon ndërhyrja në terren. Kontraktorët po pastrojnë gurët e rënë në akset Qafë Plloçë–Qukës dhe Pogradec–Qafë Thanë.

Qarku Lezhë – Çarje e argjinaturës së Vainit, evakuime me varka

Në Shënkoll dhe Zejmen niveli i ujit vijon të rritet për shkak të çarjes së argjinaturës së lagunës së Vainit. Në disa raste është kryer evakuimi me varka.

Punimet për riparimin e argjinaturës vijojnë, ndërsa ndërhyrje po realizohen edhe në aksin Skuraj–Gallatë–Vinjollë. Në Mirditë situata është stabilizuar, dhe lumi Drin paraqet ulje niveli.

Qarku Durrës – Situata drejt normalizimit

Lumenjtë Erzen, Ishëm dhe Zezë nuk paraqesin rritje niveli. Po vijon pastrimi i kanaleve të Tonës dhe Tarinit, ndërsa Erzeni është tërhequr. Në Krujë ka përfunduar forcimi i argjinaturës së Drojes dhe janë tërhequr ujërat nga tokat bujqësore.

Qarku Dibër – Ndërhyrje në disa zona malore

Në Bulqizë situata paraqitet e stabilizuar. Ndërhyrje po kryhen në Luzni, Zall Dardhë dhe Muhur. Me ndihmën e Forcave të Armatosura, është normalizuar situata në Bruç. Në Klos po pastrohen rrëshqitjet e dherave.

Qarku Shkodër – Reshje intensive, punime në terren

Në Fushë-Arrëz po pastrohen rrugët nga materialet e sjella nga përroskat. Në Malësinë e Madhe është shënuar rritje e prurjeve në përroin e Thatë, por situata mbetet nën kontroll.

Qarku Berat – Rritje e nivelit të Osumit

Niveli i lumit Osum është rritur, duke krijuar rrezik në lagjen Goricë. Ndërhyrjet po kryhen nga UKT në lagjen “28 Nëntori”.

Në Poliçan ujërat janë tërhequr, ndërsa në Dimal ka ende zona bujqësore me prani uji.

Strukturat e emergjencave civile mbeten në gatishmëri, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet në zonat me rrezik.