Gjatë natës, qarku Fier është përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar, ndërsa në disa intervale të shkurtëra edhe me intensitet të lartë. Sipas strukturave të Mbrojtjes Civile pranë bashkive dhe komunikimit të deritanishëm me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, deri në këto momente nuk raportohet për asnjë situatë problematike.
Të gjitha akset rrugore nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, pa pengesa në qarkullim.
Edhe furnizimi me energji elektrike paraqitet i qëndrueshëm, pavarësisht se katër fidera janë aktualisht jashtë pune.
Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm vijon pa probleme në të gjithë territorin.
Institucionet po mbajnë nën monitorim të veçantë prurjet e lumit Vjosa, të cilat në urën e Memaliajt kanë arritur nivelin 5.5 metra. Për këtë arsye, janë njoftuar Njësitë Administrative përgjatë rrjedhës së Vjosës për rritje të gatishmërisë dhe koordinim të menjëhershëm në rast të ndonjë zhvillimi të papritur.
Aktualisht, qarku Fier paraqitet pa probleme, megjithatë vëmendja mbetet e shtuar për shkak të prurjeve të Vjosës, si pasojë e reshjeve të dendura në qarkun Gjirokastër dhe zonat përreth.











