Ballina Shqiperia ime Aksidenti me 4 të plagosur në Fier, arrestohet 18-vjeçari që drejtonte mjetin...

Aksidenti me 4 të plagosur në Fier, arrestohet 18-vjeçari që drejtonte mjetin pa leje

Screenshot

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të informacionit mbi aksidentin e djeshëm, në fshatin Verbas, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me drejtues shtetasin J. V., 18 vjeç me automjetin me drejtues shtetasin F. S., 26 vjeç, u dëmtuan katër pasagjerët dhe dy drejtuesit e automjeteve, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit J. V., i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi, për veprat penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. S., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-Y. B., 53 vjeç, pasi në fshatin Mazhaj, me automjetin që drejtonte, ka përplasur një fëmijë 5 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën;
-Q. I., 58 vjeç, banues në Kryekuq, pasi në fshatin Zharrnec, duke drejtuar motomjetin në gjendje të dehur është përfshirë në një aksident me automjetin me drejtues shtetasin I. M., 18 vjeç, dhe për pasojë u dëmtua 58-vjeçari, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier:
-arrestuan në flagrancë shtetasin F. D., 55 vjeç, banues në Patos, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. N., 48 vjeç dhe A. T., 63 vjeç, të dy banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobët, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. K., 37 vjeç, pasi u kap duke hedhur fishekzjarre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.