Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila riktheu në detyrë Erion Veliajn si kryebashkiak i Tiranës.
Në një postim në platformën X, Rama shkruan se vendimi i Gjykatës dëshmon se nuk i ka nën kontroll të gjitha pushtetet dhe se kjo është një gjë e mirë për demokracinë.
“Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet, dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo?”, shkruan Rama me ironi.
Ai shton se nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në vitin 2027, dhe nëse Gjykata Kushtetuese mendon se kryebashkiaku i burgosur nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë “disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më vetëm dëm për të drejtat e tij kushtetuese, por edhe për të drejtën e qytetarëve të Tiranës për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i tyre.”
Rama thekson se e sheh këtë vendim si një akt parimor, jo si qëndrim kundër qeverisë, duke shpresuar që e njëjta qasje të ndiqet edhe për paraburgimin e Veliajt:
“Nuk ka si të mos presim që me të njëjtën parimësi, kur të gjykohet paraburgimi i tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë, apo jo?”
Në fund, Rama e mbyll reagimin e tij me një thirrje për zgjidhjen e “ngërçit absurd”, duke kujtuar se “kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë.”











