Punonjësit e kompanisë Bankers Petroleum kanë njoftuar zhvillimin e një proteste ditën e mërkurë, në orën 10:00, përpara zyrave të kompanisë në Fier.
Në njoftimin e shpërndarë nga vetë punonjësit, thuhet se qëllimi i tubimit është kërkesa për të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve, ndërsa theksohet vendosmëria e tyre për të mos u tërhequr.
“Ditën e mërkurë, në ora 10:00, punonjësit e kompanisë do të jenë përpara zyrave të Bankers në Fier, për të kërkuar me vendosmëri të drejtat dhe dinjitetin që na takon. Kauza jonë është e drejtë. Ne nuk tërhiqemi! Bashkohuni me naftëtarët!”, – thuhet në njoftim.
Protesta e paralajmëruar vjen në një periudhë ku naftëtarët kanë shprehur pakënaqësi për kushtet e punës dhe për trajtimin ekonomik nga kompania.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga përfaqësuesit e Bankers Petroleum lidhur me këtë nismë të punonjësve.











