Ballina Shqiperia ime Rikthehet Stacioni i trenit në Tiranë, qeveria akordon 364 milionë lekë për...

Rikthehet Stacioni i trenit në Tiranë, qeveria akordon 364 milionë lekë për projektin

Qeveria ka akorduar 364 milionë lekë nëpërmjet Aktit Normativ të buxhetit 2025 për ndërtimin e segmentit të ri hekurudhor, me një kosto totale që arrin 1.8 miliardë lekë.

Segmenti 4 km do të lidhë Kamzën me qendrën e Tiranës

Sipas dokumenteve shoqëruese, segmenti i ri hekurudhor do të ketë një gjatësi prej 4 kilometrash, duke nisur nga terminali i transportit publik pranë kthesës së Kamzës dhe duke përfunduar në vendndodhjen historike të stacionit të trenit në qendër të kryeqytetit. Projekti parashikon ndërtimin e një godine moderne për stacionin, që do të shërbejë si nyje lidhëse për transportin urban dhe hekurudhor.

Linja Tiranë–Durrës–Rinas drejt përfundimit

Punimet për linjën hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas janë drejt fazës përfundimtare. Sipas Hekurudhës Shqiptare, 90% e punimeve civile dhe të sinjalizimit janë përmbyllur, ndërsa mbeten për t’u finalizuar instalimet e brendshme të sistemit të telekomunikacionit. Punimet për stacionet janë realizuar rreth 25% dhe pritet të përfundojnë në maj të vitit 2026.

Ndërtimi i linjës hekurudhore pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, ndërsa elektrifikimi dhe mbërritja e trenave për fillimin e operimeve janë planifikuar për tremujorin e parë të vitit 2027. Tenderi për fazën e elektrifikimit po zhvillohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Tenderi për stacionin e ri nis së shpejti

Pas akordimit të fondeve shtesë në buxhet, pritet që Ministria e Infrastrukturës dhe Hekurudha Shqiptare të shpallin garën ndërkombëtare për ndërtimin e segmentit të fundit 4 kilometra dhe godinës së re të stacionit. Projekti konsiderohet një hap kyç për integrimin e transportit hekurudhor në zhvillimin urban të Tiranës.

Scan