Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një tjetër hap në drejtim të dixhitalizimit të shërbimeve publike dhe modernizimit të infrastrukturës në vend. Në podcastin e tij “Flasim”, Rama njoftoi se nga janari 2026 do të hyjë në funksion porta dixhitale e hyrjes në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, një risi që e vendos Shqipërinë ndër të parat në Europë për përdorimin e teknologjisë biometrike në kontrollin kufitar.
🔹
Porta dixhitale në Rinas
Sipas kryeministrit, pasagjerët që mbërrijnë në Shqipëri nuk do të ndalohen më për kontroll pasaporte, por do të kalojnë përmes një porte dixhitale që verifikon identitetin e tyre përmes pamjes (njohjes biometrike të fytyrës).
Sistemi do të lidhet automatikisht me biletën e udhëtimit dhe të dhënat personale, duke mundësuar një proces hyrjeje pa kontakt dhe pa vonesa.
“Një tjetër inovacion i bukur që po përgatisim është hyrja në Shqipëri nga aeroporti ‘Nënë Tereza’ pa asnjë ndalesë dhe pa kontroll pasaporte, por përmes një porte digjitale, të cilës i mjafton pamja jote për të verifikuar identitetin tënd”, tha Rama.
Ai shtoi se aeroporti i Tiranës, i njohur tashmë për përdorimin e portave elektronike të pasaportave, do të bëhet i pari aeroport në Europë me këtë nivel automatizimi të plotë të kontrollit kufitar.











