Zëri buxhetor që lidhet me platformën “Diella” reflekton zgjerimin e shërbimeve publike online dhe investimet në infrastrukturën digjitale.
Rritje e shpejtë e buxhetit për e-qeverisjen
Ndryshimet e fundit buxhetore tregojnë se fondet për e-qeverisjen, që mbulojnë sistemet si e-Albania dhe “Diella”, janë rritur me 15% krahasuar me qershorin dhe 60% ndaj buxhetit fillestar. Totali prej 20.1 miliardë lekësh (mbi 200 milionë euro) e bën këtë sektor një ndër përfituesit më të mëdhenj të buxhetit të shtetit.
Qeveria ka emëruar për herë të parë një “ministre virtuale”, chatbot-in e inteligjencës artificiale “Diella”, si simbol të digjitalizimit të administratës. Megjithëse ajo nuk ka rol ekzekutiv, fondet për sistemet që lidhen me të janë rritur ndjeshëm.
Shqipëria, ndër vendet me digjitalizimin më të avancuar në rajon
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga viti 2016 deri në 2024 janë financuar mbi 42 miliardë lekë për shërbimet publike online, ndërsa vetëm në 2025 do të investohen edhe 200 milionë euro të tjera. Në shtatë vitet e fundit, financimet për e-qeverisjen janë rritur më shumë se tetë herë, duke e renditur pas transportit rrugor, detar dhe ujësjellësve.
Qeveria vlerëson se infrastruktura digjitale po bëhet po aq jetike sa ajo fizike, ndërsa qytetarët tashmë marrin shumicën e shërbimeve nga telefonat e tyre.
Vonesat dhe sfidat e përdorimit
Pavarësisht investimeve, një pjesë e madhe e qytetarëve kanë njohuri të kufizuara digjitale dhe paguajnë ndërmjetës për shërbime online. Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e ndërveprimit midis institucioneve dhe vonesat në përpunimin e dokumenteve po dëmtojnë efikasitetin e sistemit.
Gjithashtu, transparenca mbetet e kufizuar, pasi produktet digjitale janë më pak të matshme dhe më të vështira për t’u audituar.
Burimi: Monitor