Ballina Ekonomi “Qeveria vendos tarifat e reja për shërbimet e e-Albania – ja sa...

“Qeveria vendos tarifat e reja për shërbimet e e-Albania – ja sa do të kushtojë nënshkrimi elektronik”?

Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka miratuar tarifat për shërbimet elektronike që ofron Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për administratën publike, bizneset dhe qytetarët.

Sipas vendimit, institucionet publike do të përfitojnë pa pagesë shërbime si nënshkrimi elektronik, vula elektronike, certifikata e fiskalizimit dhe transaksionet në platformën GG.

Ndërsa për subjektet private, janë vendosur tarifat si më poshtë:

  • Nënshkrimi elektronik (1 vit): 4 800 lekë
  • Certifikata elektronike e fiskalizimit (1 vit): 4 000 lekë
  • Vulosja e dokumenteve dhe transaksioneve: 20 lekë
  • Transaksion në platformën GG: 15 lekë

Për qytetarët shqiptarë dhe të huaj, nënshkrimi elektronik do të kushtojë 2 000 lekë për periudhën e përcaktuar.

Pagesat do të kryhen online përmes portalit e-Albania, ndërsa të gjitha të ardhurat do të derdhen 100% në buxhetin e shtetit.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë muajit shtator janë kryer mbi 820 mijë aplikime në pesë shërbimet më të përdorura të portalit. Më i kërkuari ka qenë certifikata personale me 295 mijë aplikime, e ndjekur nga certifikata familjare me mbi 239 mijë, vërtetimi i kontributeve individuale me rreth 130 mijë, kontributet për sigurimet shoqërore me 81 363 dhe vërtetimi i pagës me mbi 77 mijë aplikime.

Portali e-Albania vijon të konsolidohet si qendra kryesore e shërbimeve publike elektronike në Shqipëri, duke ofruar akses 24 orë në 7 ditë të javës, transparencë dhe eliminim të nevojës për paraqitje fizike në sportele. Dokumentet që gjenerohen në përfundim të aplikimit janë të vlefshme dhe të verifikueshme, pasi pajisen me vulë elektronike zyrtare.