Ballina Aktualitet Balluku në Konferencën e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike: “Shqipëria, pjesë aktive në...

Balluku në Konferencën e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike: “Shqipëria, pjesë aktive në sigurinë dixhitale të Aleancës”

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në Konferencën për Mbrojtjen Kibernetike të organizuar nga NATO në Tiranë, me praninë e delegacioneve nga 32 vende të Aleancës.

Në fjalën e saj, Balluku theksoi përkushtimin e Shqipërisë për të kontribuar në këtë përpjekje globale, duke forcuar kapacitetet e mbrojtjes kibernetike dhe duke bashkëpunuar ngushtë me aleatët për një hapësirë më të sigurt për të gjithë.

“Në një botë ku rreziku vjen nga çdo cep i hapësirës dixhitale, ne nuk mund të jemi vetëm spektatorë, duhet të jemi të përgatitur, të bashkuar dhe të fortë,” u shpreh ministrja.

Sipas saj, NATO është më shumë se një aleancë ushtarake, por një familje që garanton solidaritet dhe bashkëpunim kundër kërcënimeve që cenojnë lirinë dhe paqen.

“Shqipëria është krenare që luan një rol aktiv në këtë betejë, duke dhënë kontributin e vet në mbrojtjen e sigurisë sonë kolektive,” shtoi Balluku.

Konferenca e NATO-s në Tiranë vjen në një kohë kur siguria kibernetike po kthehet në një nga sfidat më të mëdha për vendet e Aleancës dhe për botën në tërësi.