Ballina Aktualitet Homazhe për gjyqtarin Astrit Kalaja, i pranishëm kryeministri Rama

Homazhe për gjyqtarin Astrit Kalaja, i pranishëm kryeministri Rama

Në Pallatin e Kongreseve janë mbajtur homazhe në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja i cili u vra 2 ditë më parë në sallën e gjyqit.

I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, por edhe kolegë të gjyqtarit të ndjerë, prokurorë e gjyqtarë.

Pas homazheve në Pallatin e Kongreseve, Rama refuzoi të jepte një deklaratë lidhur me ngjarjen e rëndë me gjithë insistimin e mediave të shumta të pranishme.

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën dhe solli reagime të shumta nga sistemi i drejtësisë, politika por edhe opinioni publik.

Elvis Shkambi qëlloi me tre plumba gjyqtarin Astrit Kalaja menjëherë sapo dha vendimin në disfavor të tij për një çështje prone duke i shkaktuar vdekje.

31-vjeçari qëlloi me armë zjarri edhe ndaj 2 personave të tjerë në sallën e gjyqit, me të cilët ishte në konflikt pronësie duke i lënë të plagosur.

Pas arrestimit të autorit të vrasjes, Elvis Shkambi, në pranga lidhur me ngjarjen e rëndë janë vënë edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, si dhe punonjësi i sigurisë i Gjykatës së Apelit Tiranë, Banush Koxhaj.