Ballina Shqiperia ime Protestë në Smokthinë, banorët kërkojnë asfaltimin e 25 km rrugë

Protestë në Smokthinë, banorët kërkojnë asfaltimin e 25 km rrugë

Banorët e fshatrave Vërmik, Bashaj, Matogjin, Verbës, Ramicë dhe Velçë janë mbledhur sërish këtë të diel për të protestuar, duke kërkuar asfaltimin e rrugës që lidh këto zona.

Protestuesit, të cilët përfaqësojnë krahinën e Smokthinës në Vlorë, kërkojnë ndërhyrje për rehabilitimin e një segmenti prej 25 kilometrash, që sipas tyre është i amortizuar dhe i pazhviluar prej vitesh.

Për më shumë se 40 minuta, ata bllokuan qarkullimin në rrugën nacionale të Lumit të Vlorës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj institucioneve përgjegjëse.

Në protestë ishte e pranishme edhe policia, ndërsa nuk u shënuan incidente.

Banorët mbajtën fjalime, ku i bënë thirrje kryeministrit të ndërhyjë për të përmirësuar infrastrukturën në këtë zonë, që sipas tyre është lënë pas dore.