Ballina Shqiperia ime Rreth 50 mijë mjete nuk kalojnë kontrollin teknik

Rreth 50 mijë mjete nuk kalojnë kontrollin teknik

Screenshot

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit rrugor ka publikuar të dhënat për periudhën janar-gusht 2025, në lidhje me shërbimin e kontrollit teknik të mjeteve që qarkullojnë.

Gjatë kësaj periudhe janë testuar 206.822 mjete, nga të cilat 86.5% përbëhen nga automjete me kapacitet 4+1 deri në 8+1 vende. Gjithashtu, 6.2% përbehen nga kamionë; 4.2% e përbëjnë motomjetet; 0.5% rimorkjo; 1.7% autobusë, si dhe 0.4% përbëhen nga mjete ndërtimi/punime toke.

Shumë prej mjeteve u riparuan dhe u rikthyen në qarkullim me standarde më të larta sigurie.

Pjesa më e madhe e kontrolleve, mbi 72 mijë mjete janë kontrolluar pranë qendrës së DPSHTRR në Tiranë, duke reflektuar e pasqyruar fluksin më të lartë dhe përqendrimin më të madh të mjeteve në kryeqytet. Nga ana tjetër, Gjirokastra renditet e fundit për numrin e mjeteve që i janë nënshtruar kontrollit teknik, që arrin shifrën 4.345.

Ndërkohë, sipas shifrave të publikuara nga DPSHTRR, 50.040 mjete kanë ngelur ose janë refuzuar në testim, duke ngritur shqetësime mbi gjendjen teknike të automjeteve në qarkullim. Po kështu, 90.2% e mjeteve janë ritestuar pas riparimit; 9.4% e mjeteve të ngelura priten për t’u paraqitur pas riparimeve dhe 0.4% e mjeteve janë refuzuar për shkak të problemeve të tilla si: xhama të dëmtuar, goma të tejkonsumuara, defekte e mangësi në sistem, mangësi në dokumentacion etj.

Sipas DPSHTRR, arsyet e ngeljes lidhen me mangësi vizuale dhe funksionale 37.9%; probleme me sistemin e shkarkimit të gazrave 34.3%; defekte në sistemin e drejtimit 14.7% dhe probleme në sistemin e frenimit 13.1%.

Një tjetër element është dhe mosha e mjeteve në qarkullim. Gjatë këtij 8- mujori, 5.333 mjete me moshë mesatare 22 vjeçare janë çregjistruar përgjithmonë. Një hap drejt rrugëve më të sigurta dhe një mjedisi më të pastër, thekson DPSHTRR.