Ballina Shqiperia ime Investime për rrjetin elektrik në Fier e Patos/ OSSH hap dy tendera

Investime për rrjetin elektrik në Fier e Patos/ OSSH hap dy tendera

OSSH Fier shpall tenderë mbi 200 milionë lekë për rikonstruksionin e rrjetit elektrik

Drejtoria Rajonale e OSSH Fier ka hapur tenderin për rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të mesëm, të ulët dhe kabinave të fiderave të nënstacionit Patos 35/6 kV, me një fond limit prej 104.2 milionë lekësh. Ky investim është pjesë e strategjisë së zhvillimit të rrjetit elektrik, normalizimit të ngarkesave dhe përballimit të rritjes demografike e urbanistike të zonës.

Projekti përfshin 2 fidera, ndërtimin e 3 kabinave të reja, spostimin e 7 kabinave ekzistuese dhe rikonstruksionin e 8 kabinave, në një zonë që ka përjetuar rritje të madhe të numrit të abonentëve gjatë viteve të tranzicionit.

Paralelisht, një tjetër procedurë tenderimi, me fond limit 100 milionë lekë, do të financojë rikonstruksionin e rrjetit elektrik në rrethinat e Fierit, që mbulon një sipërfaqe prej 35 km² dhe furnizon rreth 400 abonentë familjarë dhe privatë. Kabinat e kësaj zone, që furnizohen nga nënstacioni “Fieri i Ri” 110/20 kV, janë kryesisht në fshatrat Drizë dhe Vadhizë, ku rrjeti i tensionit të ulët është ndërtuar që në vitet ’70 dhe është sot tejet i amortizuar.

Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, investimet do të garantojnë një infrastrukturë elektrike moderne, me shërbim më cilësor për abonentët ekzistues dhe të përputhur me zhvillimet afatgjata të zonës.