Në Zyrën Rajonale të Punës Fier u zhvillua procesi i ndërmjetësimit mes përfaqësuesve të punonjësve të Kompanisë Bankers dhe drejtuesve të saj, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për pagat dhe ndalimin e procedurave disiplinore ndaj anëtarit të Kryesisë së Sindikatës, Dritan Rapushi.
Sipas sindikatës, kompania ka refuzuar kërkesën e paraqitur, duke treguar “papërgjegjshmëri” në raport me punonjësit. Ata theksojnë se, ndonëse kompania deklaron investime me vlerë miliona e miliarda lekë, punonjësit e vendburimeve paguhen me paga të ulëta dhe në kontrast të madh me ato të drejtuesve.
“Çdo punonjës që ngre zërin për të drejtat e tij, përballet me masa ndëshkimore. Ky është diskriminim sindikal dhe një përpjekje për të heshtur punonjësit,” thuhet në reagimin e sindikatës.
Nëse edhe në procesin e pajtimit kompania nuk reflekton, punonjësit paralajmërojnë nisjen e grevës, duke theksuar se do të protestojnë për të drejtat dhe dinjitetin e tyre, si dhe për mbrojtjen e kolegut të penalizuar.