Ballina Shqiperia ime Marrëveshja Shqipëri-Izrael: Nga kontratat për helikopterë tek mortaja, ja armët që do...

Marrëveshja Shqipëri-Izrael: Nga kontratat për helikopterë tek mortaja, ja armët që do të blihen

Është publikuar në Fletoren Zyrtare marrëveshja e bashkëpunimit Shqipëri–Izrael për kapacitetet mbrojtëse.Sipas saj, pala jonë synon forcimin e aftësive mbrojtëse të vendit dhe thellimin e bashkëpunimit ushtarak, me qëllim që kapaciteti mbrojtës shqiptar të jetë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Bashkëpunimi strategjik me Izraelin është materializuar fillimisht në tre kontrata, me anë të të cilave parashikohet të blihet armatim izraelit, i cili gjithashtu do të montohet nga vetë izraelitët.

Në marrëveshjen e parë, të emërtuar ATMOS, ndryshe Sistemi i armatimit të vetëkomanduar të montuar në automjet, do të blihen topa obuz lëvizës 155 milimetra, me kalibër 52.

Në marrëveshjen e dytë, të quajtur SPEAR, do të blihen sisteme mortajash 120 milimetra të montuara.

Në marrëveshjen e tretë, të njohur si Sistemi “Kuadkopter”, që janë një lloj helikopterësh, parashikohet që produktet dhe sistemet e kuadkopterëve të montohen në vend, duke përjashtuar vetëm 10 platformat e para.

Kjo marrëveshje është në zbatim të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar më 26 qershor 2023 në Tel Aviv, duke shënuar fillimin e një partneriteti të ri strategjik në fushën e mbrojtjes. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë angazhohet të integrojë dhe të zhvillojë në vend kapacitete të reja mbrojtëse, me mbështetjen teknike dhe monitorimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.

Për zbatimin e marrëveshjes parashikohet krijimi i një Komiteti Monitorimi dypalësh, i cili do të vlerësojë periodikisht ecurinë e saj.