Kryeministri Edi Rama do të paraqesë nesër në Parlament programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme. Seanca maratonë pritet të zgjasë dy ditë dhe do të mbyllet pasnesër me votimin e kabinetit të ri qeveritar.
Sipas dokumentit që disponon Top Channel, qeveria synon që deri në vitin 2030 të trefishojë të ardhurat për frymë, duke i çuar në 15 mijë euro, pesëfishi i asaj që ishte një dekadë më parë. Pagat dhe pensionet janë ndër pikat kryesore të programit. Paga mesatare pritet të kalojë mbi 1 mijë euro, paga minimale do të arrijë 500 euro që nga janari 2026, ndërsa pensioni mesatar deri në vitin 2030 do të jetë 400 euro dhe ai minimal 200 euro.
Një tjetër prioritet janë investimet në infrastrukturë. Qeveria parashikon përfundimin e autostradës Tiranë–Durrës brenda mandatit të katërt, si dhe disa segmente të tjera strategjike, mes tyre Kombinat–Ndroq–Plepa, Maqellarë–Peshkopi, Qukës–Qafë Plloçë dhe Berat–Ballaban, që pritet të mbyllen brenda vitit 2025. Projekte të tjera përfshijnë rrugën e Bregut, rrugën e Vjosës, rrugën e Maleve, unazën e Çajupit, bypass-et e Elbasanit dhe Sarandës.
Transporti hekurudhor do të ketë gjithashtu investime të mëdha. Linja Tiranë–Durrës–Rinas do të përfundojë në vitin 2025 dhe do të plotësohet me të gjithë komponentët në 2026. Projekte të tjera përfshijnë linjën Vorë–Han i Hotit (2029), Durrës–Rrogozhinë (2028) dhe Rrogozhinë–Pogradec (nis në 2028). Gjithashtu, nga viti 2026 do të nisin punimet për linjat Vlorë–VIA, Sukth–Porto Romano dhe Rrogozhinë–Vlorë.
Në planin social, qeveria premton 300 milionë euro investime në strehim për 50 mijë çelësa, me prioritet çiftet e reja, profesionistët dhe emigrantët që rikthehen. Po ashtu, parashikohet rritje e mëtejshme e pagave të mjekëve deri në 2000 euro në vitin 2030, si dhe investime të mëdha në bujqësi, me synim 1 miliardë euro eksporte.
Programi përfshin edhe furnizimin 24 orë me ujë për të gjitha qytetet dhe mbi 80% të zonave rurale, digjitalizimin e shërbimeve publike përmes kartës së identitetit digjital deri në 2026, si dhe ngritjen e një rrjeti sigurie me kamera inteligjente në të gjitha qytetet qendër qarku.
Qeveria thekson se mandati i katërt do të jetë vendimtar për përmbushjen e objektivit të Shqipërisë 2030, duke e afruar vendin me standardet e Bashkimit Europian dhe duke e bërë pjesë të një rrjeti të integruar ekonomik e rajonal.