Policia blindon hyrje-daljet e Vlorës, kontrolle të shumta ndaj automjeteve

Një operacion kontrolli është ndërmarrë mbrëmjen e sotme në një nga pikat kryesore të hyrjes në Vlorë. Forca të shumta policie kanë ndaluar automjete të ndryshme për verifikim, ndërsa kontrollet janë shtrirë te drejtuesit dhe pasagjerët.

Burime nga terreni bëjnë me dije se objektivi kryesor i aksionit është evidentimi i personave të shpallur në kërkim, kontrolli i dokumentacionit dhe zbulimi i rasteve të mundshme të mbajtjes së armëve pa leje.

Policia po verifikon gjithashtu persona me precedentë kriminalë, në kuadër të masave të marra për parandalimin e veprimtarisë kriminale dhe garantimin e rendit publik.

Aksioni pritet të vijojë edhe në pika të tjera të qytetit dhe në zonat përreth Vlorës, ndërsa kontrollet synojnë rritjen e prezencës policore gjatë kësaj periudhe me fluks të lartë lëvizjesh.