Ballina Shqiperia ime “Shqipëria 2030”/ Qeveria zbulon programin: 700 km rrugë të reja, hekurudha dhe...

“Shqipëria 2030”/ Qeveria zbulon programin: 700 km rrugë të reja, hekurudha dhe aeroporte

Qeveria ka prezantuar programin e ri qeverisës, i cili shtrihet deri në vitin 2030 dhe përfshin projekte të mëdha infrastrukturore, reforma në sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe ujësjellësit. Dokumenti 55-faqësh synon transformimin e Shqipërisë në një vend tërësisht të integruar me rrjetet moderne të transportit dhe të përmirësimit të shërbimeve bazë.

Rrugët dhe hekurudhat

Një nga shtyllat kryesore të programit janë investimet në transportin rrugor, me ndërtimin e 700 kilometrave të reja. Prioritet do të kenë akse strategjike si Korridori Blu (Milot–Balldren, Milot–Thumanë, Kashar–Pezë–Lekaj, Lekaj–Konjat–Fier), Bypass-i i Elbasanit, Rruga e Bregut (Dhërmi–Sarandë), Bypass-i i Sarandës, rruga e Ksamilit, si dhe akse të tjera të rëndësishme që lidhin zonat malore dhe turistike.

Në fushën e hekurudhave, programi parashikon funksionalizimin e linjës Tiranë–Durrës–Rinas dhe ndërtimin e korridoreve të reja si Vorë–Hani i Hotit, Rrogozhinë–Pogradec, Durrës–Rrogozhinë dhe Vlorë–Via.

Portet dhe marinat turistike

Një tjetër projekt madhor është ndërtimi i portit të ri tregtar në Porto Romano, i integruar me rrjetin hekurudhor. Për turizmin, qeveria synon ndërtimin e 20 marinave të reja përgjatë vijës bregdetare, nga Velipoja në veri deri në Ksamil në jug, duke u bazuar në masterplanin e miratuar për Vlorën, Sarandën dhe Kepin e Rodonit.

Aeroportet

Pas zgjerimit të Aeroportit të Tiranës dhe ndërtimit të atij të Vlorës, programi qeverisës parashikon hapjen e Aeroportit të Gjirokastrës dhe themelimin e një akademie të Aviacionit.

Reformat në ujësjellës, arsim dhe shëndetësi

Në sektorin e ujësjellësit, synohet furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për 100% të zonave urbane dhe mbi 80% të zonave rurale.

Në arsim, qeveria planifikon rritjen e pagës mesatare të mësuesve në 1,250 euro deri në vitin 2029, ndërtimin e 200 shkollave të reja dhe vendosjen e 1000 laboratorëve inteligjentë, duke synuar digjitalizim të plotë të sistemit arsimor.

Në shëndetësi, programi parashikon rindërtimin e të gjitha qendrave shëndetësore dhe ambulancave, si dhe transformimin e QSUT “Nënë Tereza” në një qendër ekselence rajonale për trajtim dhe inovacion mjekësor.

Sipas qeverisë, ky program synon të përshpejtojë integrimin e vendit në BE dhe ta shndërrojë Shqipërinë në një nyje të rëndësishme të rajonit në fushën e transportit, turizmit dhe zhvillimit ekonomik.