Ballina Shqiperia ime Specat e ndaluar në Slloveni, fermerët nga Fieri gabuan dozat dhe mbingarkuan...

Specat e ndaluar në Slloveni, fermerët nga Fieri gabuan dozat dhe mbingarkuan produktin

Autoritetet sllovene bllokuan dhe asgjësuan 3.2 ton speca me origjinë nga Shqipëria, pasi analizat treguan ngarkesë të lartë me kimikate. Edhe pse tre insekticidet e përdorura janë të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe nga BE, dy fermerë nga Zharrëza e Fierit kishin tejkaluar dozën e lejuar.

Sipas një specialisti të agronomisë, Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka realizuar gjurmueshmërinë dhe ka konstatuar se fermerët e pranuan përdorimin e tepruar të preparateve bujqësore. Për këtë rast u mor një masë administrative – paralajmërim – ndërsa në rast përsëritjeje, ligji parashikon gjoba dhe deri në burgim.

Eksperti i bujqësisë, Shpend Shahini, shpjegon se kushtet klimaterike kanë rritur rezistencën e sëmundjeve në kultura, duke shtyrë fermerët të shtojnë spërkatjet dhe të mos respektojnë karencën, që është periudha e shpërbërjes së kimikatit.

Ai shton se një alternativë e sigurt dhe e qëndrueshme është kontrolli biologjik, ku përdorimi i organizmave të gjallë për të luftuar dëmtuesit redukton ndjeshëm numrin e spërkatjeve me kimikate.