Prokuroritë rrëzojnë referimet e policisë për parkimet, çështjet trajtohen si kundërvajtje administrative
Prokuroritë në disa qytete të vendit po hedhin poshtë kallëzimet e Policisë së Shtetit për rastet e parkimeve që konsiderohen pengesë në qarkullim. Organi i akuzës ka vendosur në disa raste mosfillimin e procedimeve penale, duke i trajtuar shkeljet si kundërvajtje administrative dhe jo si vepra penale.
Në Sarandë, për dy shoferë të kallëzuar për “pengim të qarkullimit”, mes tyre edhe një rast ku u bllokua një autobus me turistë, është vendosur që të mos nisë procedim penal.
Në Vlorë, ku një zjarrfikëse u pengua nga një automjet i parkuar në mënyrë të gabuar në Himarë, prokuroria është ende në fazën e verifikimit për të vendosur nëse do të nisë hetim.
Ndërkohë, në Tiranë dhe Lezhë janë dërguar nga policia rreth 70 dosje, por deri më tani nuk ka një vendim për nisjen ose jo të procedimeve penale.
Ky zhvillim vjen pas urdhrit të policisë disa javë më parë, që shoferët që bllokojnë qarkullimin të ndëshkohen jo vetëm me gjobë prej 20 mijë lekësh, por edhe të referohen për ndjekje penale. Deri më tani, mbi 100 drejtues mjetesh janë kallëzuar, por interpretimi i policisë duket se nuk po gjen mbështetje nga prokuroritë.