Ballina Shqiperia ime Sa shqiptarë morën leje për të qëndruar në BE? Kryesuam rajonin

Sa shqiptarë morën leje për të qëndruar në BE? Kryesuam rajonin

Në vitin 2024, në Bashkimin Europian u lëshuan 3.5 milionë leje qëndrimi të para për shtetasit jashtë territorit, një rënie prej 8.3% krahasuar me vitin 2023. Punësimi mbeti arsyeja kryesore, duke përbërë 31.9% të totalit ose plot 1.1 milion leje.

Por si paraqitet situata për Shqipërinë? Sipas të dhënave të Agjencisë Europiane të Statistikave, gjatë vitit 2024 lidhur me lejet e para sipas arsyes, kohëzgjatjes së vlefshmërisë dhe shtetësisë BE ka aprovuar rreth 66 mijë leje të para për shtetas shqiptarë. Shumica dërrmuese lidhet me arsye familjare, me plot 34 mijë leje, ndërsa rreth 2 mijë iu dhanë për studime dhe afro 11 mijë për arsye të paspecifikuara.

Kur krahasohet me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mbetet në krye sa i përket numrit të lejeve të para të lëshuara. Pas saj renditet Serbia me rreth 46 mijë leje, ndërsa Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë përkatësisht 38 mijë dhe 39 mijë leje. Edhe Bosnja dhe Hercegovina ka regjistruar një numër të lartë lejesh, rreth 39 mijë, por Mali i Zi duket se ka përjetuar një ulje të ndjeshme, me vetëm 3,200 leje të para.

Analiza e arsyeve për marrjen e lejeve të qëndrimit tregon një mozaik të ndryshëm sipas shtetësisë. Për shtetasit e Ukrainës, Bjellorusisë dhe Indisë, arsyeja më e shpeshtë ishte punësimi, duke përbërë 72.5%, 55.2% dhe 43.9% përkatësisht. Nga ana tjetër, shtetasit e Afganistanit, Sirisë dhe Bangladeshit përfituan më shumë leje për arsye të mbrojtjes ndërkombëtare, me përqindje që varionin nga 40.8% deri në 85.4%. Për shtetasit e Marokut, Kolumbisë dhe Turqisë, arsyet familjare dominuan, duke përbërë deri në 46.6% të lejeve të dhëna, ndërsa për shtetasit e Kinës arsye kryesore ishin studimet, me 34.1% të lejeve të lëshuara. Këto të dhëna tregojnë qartë se motivet e migrimit ndryshojnë ndjeshëm sipas shtetësisë dhe situatës socio-ekonomike të vendeve përkatëse.