Ballina Shqiperia ime Elektrifikimi i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas – BERZH hap tenderin me 2 faza

Elektrifikimi i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas – BERZH hap tenderin me 2 faza

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka hapur tenderin me 2 faza për elektrifikimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe lidhjes së re me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Autoritet kontraktor është Hekurudha Shqiptare, ndërsa tenderi zhvillohet nga BERZH, si financuese e projektit.

Faza e parë përfshin vetëm propozimin teknik, pa çmime, së bashku me çdo devijim të arsyetuar nga kërkesat, si dhe dokumentet e kualifikimit. Pasi të vlerësohen ofertat teknike, ofertuesit e kualifikuar do të ftohen për të marrë pjesë në fazën e dytë, për të dorëzuar ofertën teknike të përditësuar, së bashku me ofertën financiare.

Hapja e kësaj procedure u paralajmërua pak javë më parë edhe nga kreu i Hekurudha Shqiptare, Ergys Verdho, i cili tha se “ndodheshin në prag të çeljes së kredisë nga BERZH-i dhe të grantit nga Komisioni Europian për ndërtimin e komponentit të fundit tw projektit, që është elektrifikimi”. “Themi ta aksesojmë këtë në 3-mujorin e fundit të këtij viti, t’i nënshkruajmë marrëveshjet, të bëjmë të gjithë hapat e mundshme, që tenderi për këtë procedurë të ecë në kohë për dorëzim e saj”, – tha ai.

Sipas të njëjtave deklarata, ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës – Rinas përfundon vitin e ardhshëm, ndërkohë që elektrifikimi dhe mbërritja e trenave për nisjen e operimeve synohet të përmbyllet në 3 – mujorin e parë 2027.

Aktualisht janë duke u ndërtuar godinat e stacioneve, ku do të ndalojë treni. 
SCAN