Berat – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka nisur procedim penal ndaj tre shtetasve, mes tyre administratorit të subjektit “Era-Fruit” dhe dy inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, pas zbulimit të një sasie prej 8 tonësh domate të eksportuara drejt Kroacisë me nivel të lartë të pesticidit Chlorfenapyr.
Hetimet zbuluan se domatet kishin nivel 0.06 mg/kg, shumëfish mbi normën e lejuar prej 0.01 mg/kg, duke përbërë rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve. Autoritetet kroate asgjësuan sasinë e produktit pas konstatimit të shkeljes.
Prokuroria ka kërkuar ndalimin e administratorit M.Q. dhe inspektorëve R.L. dhe G.D., të cilët akuzohen për veprat penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 288, 288/c, 186 dhe 248 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, M.Q. përdori një faturë fiktive blerjeje në emër të një fermeri për të shmangur përgjegjësinë ligjore, duke e paraqitur atë si dokument zyrtar në praktikat doganore dhe gjurmueshmërinë e produktit. Ndërkohë, inspektorët e AKU-së, të cilët kryen kontrollin më 29 gusht 2025 pas njoftimit të sistemit RASFF, nuk gjetën domatet në magazinën e subjektit dhe nuk morën mostra për analiza, duke mbështetur verifikimin mbi faturën e falsifikuar.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Beratit ka sekuestruar produkte të tjera të subjektit, përfshirë domate, speca dhe kastraveca, të cilat po i nënshtrohen analizave për të përcaktuar nëse janë të kontaminuara