Gjithnjë e më shumë vajza në Shqipëri, edhe pse kanë përfunduar studime të larta në fusha të ndryshme, po zgjedhin të lënë pas profesionin për të cilin janë shkolluar dhe po i drejtohen estetikës. Arsyeja kryesore: ky profesion shihet si një mundësi reale punësimi dhe fitimi në vendet e Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një trajnuese me 10 vite eksperiencë në këtë fushë, shprehet se interesimi për kurse estetike është rritur ndjeshëm vitin e fundit. “Sidomos kurset e thonjve, qerpikëve dhe make up-it kanë pasur një bum kërkesash nga vajzat që i ndjekin këtu në Shqipëri, me synimin për të emigruar dhe për ta ushtruar më pas këtë profesion jashtë vendit. Nga ato që kam trajnuar, di se ky profesion vlerësohet dhe paguhet disa herë më shumë në BE dhe më gjerë”, – tregon ajo.
Kostot e kurseve të estetikës në Shqipëri
Çmimet e kurseve ndryshojnë sipas fushës dhe studios që i ofron:
- Kursi i thonjve: 200 deri në 600 euro, në disa raste deri në 1200 euro, me kohëzgjatje rreth një muaji.
- Kursi i qerpikëve: një nga trendet më të fundit, i futur fuqishëm në dy vitet e fundit; kushton 400 deri në 1200 euro, zgjat rreth 2 javë.
- Kursi i vetullave (mikroblading apo teknika të ngjashme): nga 1000 deri në 1200 euro, me kohëzgjatje nga 2 javë deri në 1 muaj.
Shumë prej kursanteve e shohin këtë si një investim të shpejtë, që u krijon mundësinë të nisin punën vetë ose në qendra estetike jashtë vendit.
Sfida dhe ndryshimet në tregun europian
Megjithatë, sektori i estetikës nuk është i pandryshueshëm. Prej 1 shtatorit, Bashkimi Europian ka ndaluar përdorimin e disa llojeve të xhelëve për thonj, pasi është konstatuar se përmbajnë substanca kimike që ndikojnë negativisht në fertilitet dhe riprodhim. Ky vendim do të ndikojë drejtpërdrejt si te estetistet që punojnë në BE, ashtu edhe te ato që planifikojnë të emigrojnë e të ushtrojnë këtë profesion.
Një derë e hapur për punësim
Pavarësisht sfidave, estetika mbetet një nga profesionet më të zgjedhura nga vajzat shqiptare që kërkojnë mundësi punësimi dhe të ardhura të sigurta jashtë vendit. Me kërkesën e lartë për shërbime bukurie në tregun ndërkombëtar, ky sektor shihet si një trampolinë e fortë për të rinjtë që kërkojnë një jetë më të mirë në emigrim.