Detaje të reja janë zbuluar pas aksidentit fatal të mbrëmjes së së dielës në aksin Sarandë–Delvinë, ku humbën jetën motrat Ela dhe Rozina Dhimaku.
Policia ka vënë në pranga 23-vjeçarin Kevi Norra qe sipas njoftimit te policise eshte banues ne Fier, i cili drejtonte automjetin tip “Audi”. Nga testi i alkoolit rezultoi se Norra ishte në gjendje të rëndë të dehur në momentin e përplasjes.
Në fshatin Kopaçez, ku jetonte familja Dhimaku, janë hapur dyert e mortit. Mësohet se se ato ishin dy më të rriturat e familjes, ndërsa në shtëpi kanë lënë një vëlla vetëm 10 vjeç, i cili vuan nga leuçemia.
Nga ana tjetër, 24-vjeçarja Antonela Zhupa, pasagjere në automjetin tip “Lancia”, ka pësuar politrauma. Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, mjekët vendosën ta transferonin drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Fatmirësisht, gjendja e saj shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Sakaq, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, i cili ka lënë pas një tragjedi të rëndë familjare dhe shoqërore.
Sarandë – NJOFTIM I POLICISE
•Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.