Ballina Shqiperia ime Femrat dominojnë administratën vendore/ 77% e stafit të bashkive përbëhen nga gra

Femrat dominojnë administratën vendore/ 77% e stafit të bashkive përbëhen nga gra

Një raport i fundit i publikuar nga UNDP ka nxjerrë në pah një prani të fortë të grave në administratën vendore shqiptare. Të dhënat e analizuara nga 12 bashkitë kryesore tregojnë se 77% e stafit përbëhet nga femra.

Nga gjithsej 973 punonjës, 754 janë gra dhe vetëm 219 burra, duke e bërë administratën vendore një hapësirë ku gratë dominojnë dukshëm, veçanërisht në sektorët e shërbimeve sociale.

Profesionet kryesore sipas raportit:

  • Punonjës socialë: 316 gjithsej, prej tyre 276 gra.
  • Psikologë: 36 gjithsej, pothuajse të gjitha femra.
  • Juristë: 11 gjithsej, 8 gra.
  • Ekonomistë: 137 gjithsej, 81 gra.
  • Inxhinierë, mjekë, agronomë, veterinerë: përfaqësojnë rreth 49% të stafit.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është ngarkesa për punonjës, që ndryshon ndjeshëm nga një bashki në tjetrën.

  • Kukësi ka raportin më të lartë: 629 përfitues për çdo punonjës.
  • Tirana: 565 përfitues për punonjës.
  • Shkodra: 533 përfitues për punonjës.
  • Berati ka raportin më të ulët: vetëm 107 përfitues për një punonjës.

Raporti thekson gjithashtu se krahasuar me dy vite më parë, ngarkesa mbi punonjësit e bashkive është ulur ndjeshëm, sidomos në bashkitë që kishin situatën më të vështirë, si Kukësi, Dibra, Elbasani dhe Tirana.