Ka nisur prej ditës së djeshme pelegrinazhi i madh i bektashinjve në malin e shenjtë të Tomorrit, një traditë shekullore që mbledh çdo vit mbi 600 mijë pelegrinë nga Shqipëria, diaspora dhe vende të ndryshme të botës. Pelegrinazhi do të zgjasë një javë, deri më datë 25 gusht 2025, pranë Teqesë së Abaz Aliut.
Plani i Policisë së Beratit
Për të garantuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të madh fetar e kulturor, Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka hartuar një plan të detajuar masash.
Policia e Beratit, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë në Berat, Kuçovë dhe Skrapar, është angazhuar për:
- garantimin e rendit dhe sigurisë publike,
- parandalimin e krimeve,
- rritjen e sigurisë rrugore,
- lehtësimin e qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve, para, gjatë dhe pas pelegrinazhit.
Në kuadër të këtij plani, janë vendosur shërbime shtesë në të gjitha akset rrugore që të çojnë në malin e Tomorrit, si dhe në ambientet e jashtme të Teqesë së Abaz Aliut.
Institucionet e përfshira
Në menaxhimin e masave janë përfshirë:
- shërbimet e DVP Berat,
- FNSh Fier,
- Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore,
- Forcat zjarrfikëse,
- Spitali Rajonal Berat,
- organet e pushtetit vendor,
- si dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Policia e Beratit, në komunikimin për mediat, bëri të ditur edhe itinerarin e lëvizjes së mjeteve gjatë ngjitjes dhe zbritjes nga mali, si dhe kufizimet e qarkullimit që do të zbatohen përgjatë ditëve të pelegrinazhit.