Ballina Shqiperia ime Fier, epiqendra e energjisë diellore/ 13 projekte të reja fotovoltaike me kapacitet...

Fier, epiqendra e energjisë diellore/ 13 projekte të reja fotovoltaike me kapacitet 125 MW

Fieri po shndërrohet në qendrën kryesore të energjisë diellore në vend. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2025 janë dhënë 13 licenca për centrale fotovoltaike që do të ndërtohen në këtë qark, me një kapacitet total prej 125 MW.

Në rang vendi, gjatë periudhës janar–korrik janë licencuar gjithsej 16 kompani për projekte energjetike me fuqi të instaluar 142.8 MW. Përveç fotovoltaikëve të Fierit, janë miratuar edhe 3 projekte hidrocentralesh me kapacitet të kombinuar prej 17.8 MW, ndërsa energjia e erës mbetet ende e pashfrytëzuar.

Ekspertët vlerësojnë se rritja e investimeve në Fier e kthen këtë qark në një pol të rëndësishëm të prodhimit të energjisë së rinovueshme në Shqipëri, por theksojnë edhe nevojën për përmirësime në rrjetin elektroenergjetik, në mënyrë që kapacitetet e reja të integrohen pa vështirësi.