Ballina Shqiperia ime Shqiptarët konsumuan 100 mln euro drithëra – Rritet importi në sasi

Shqiptarët konsumuan 100 mln euro drithëra – Rritet importi në sasi

Shqipëria ka rritur ndjeshëm importin e drithërave nga jashtë, duke treguar dhe një tendencë më të lartë të konsumit të tyre.

Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, përgjatë vitit 2024 afro 338 mijë ton drithëra  janë blerë nga jashtë kufijve.  Nëse do të bëjmë një analizë në 5 vitet e fundit, vihet re se sasia më e lartë e importuar ka qenë në vitin pandemik 2020 për shkak frikës që i kapi qytetarët shqiptarë për mbylljen e kufijve dhe rritjes së kërkesës së menjëhershme sidomos për grurin, vit në të cilin u importuan  rreth 365 mijë ton dhe në vitet pasardhëse 2021-2023 ka një rënie progresive, për të kapërcyer sërish në 2024-ën.

Kjo rritje mund të ketë ardhur edhe si pasojë  e një sezoni të mbarë turistik gjatë vitit të kaluar çka ka ndikuar në konsum më të lartë.

Sa i takon çmimit të tyre, duket se ka pasur një rënie të theksuar që nga viti 2020. Konkretisht, pavarësisht se volumi i importeve është më i lartë në 2024-ën, ato kapin një vlerë prej 10 miliardë lekësh apo 100 milionë eurosh , e cila është pothuajse e njëjtë me një vit më parë ku importi ishte ndjeshëm më pak dhe po ashtu më e ulët si vlerë në raport me vitet 2021-2022 ku sasia e importuar ishte shumë më pak dhe vlera arrinte ne mesatarisht 120 milionë euro.  Por pavarësisht se ky çmim ka qenë më i favorshëm për importuesit, ai nuk është reflektuar tek konsumatorët finalë.

Gruri është edhe një ndër drithërat kryesore të prodhimit të bukës por edhe të nënprodukteve të tjera dhe që preferohet më së shumti nga konsumatorët shqiptarë. Në vendin e dytë renditet mistri. Po ashtu një volum të lartë importesh ka edhe orizi. Këto janë tre drithërat kryesore të blera nga jashtë kufijve.

Ndërsa në sasi dhe vlerë më të ulët, importohet elb, tërshërë, thekër dhe quinoa. Në vitin 2022,  ministria e Bujqësisë ndërmori politikën mbështesë për fermerët përmes subvencionimit me 30 mijë lekë për hektarë për kultivimin e grurit, iniciativë që parashikohej të rriste prodhimin ne afro 20 për qind. Por duke qenë se fermerët hasën problematika të mëdha për shitjen e tij, për shkak të kostos më të lartë në raport me produktin e importit, kjo incentivë nuk u vu më në jetë.