Ballina Shqiperia ime Syri i Kaltër i hapur dhe i sigurt për vizitorët pas shuarjes...

Syri i Kaltër i hapur dhe i sigurt për vizitorët pas shuarjes së zjarreve

Parku Natyror “Syri i Kaltër” në Sarandë është rihapur për turistët dhe është i sigurt për vizitë, pas shuarjes së zjarreve që kërcënuan zonën ditët e fundit. Lajmin e ka konfirmuar sot Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), pas një inspektimi në terren.

Sipas AKZM, rreth 30.66 hektarë sipërfaqe brenda parkut u prekën nga flakët, por monumenti natyror vetë mbeti i paprekur.

“Analiza e dëmeve dhe humbjeve nga zjarret në pyje dhe kullota është një hap i rëndësishëm për fazën e rimëkëmbjes. Solidariteti, bashkimi i përpjekjeve dhe rikthimi i sigurisë për komunitetin, subjektet dhe vizitorët janë prioritetet tona,” – thekson institucioni.

Zjarri kishte nisur në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam, dhe u përhap drejt fshatit Pecë, shumë pranë Syrit të Kaltër. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse, bashkive, Forcave të Armatosura dhe një avioni italian “Canadair”, u arrit shuarja e flakëve dhe mbrojtja e monumentit natyror.

Në operacion morën pjesë 67 zjarrfikës me 11 automjete, 30 punonjës të bashkisë, 80 efektivë të FA-ve me 10 automjete, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse.

AKZM u bën apel vizitorëve të tregojnë kujdes dhe të njoftojnë autoritetet për çdo situatë të pazakontë, për të mbrojtur këtë pasuri të rrallë natyrore.