Ballina Shqiperia ime Zjarr masiv në Patos, digjen 4 hektarë pyll me pisha – rrezikohen...

Zjarr masiv në Patos, digjen 4 hektarë pyll me pisha – rrezikohen banesat në Gjinoqar

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 4 hektarësh pyll me pisha në zonën e Gjinoqarit, në bashkinë e Patosit. Sipas kryeplakut të fshatit, Nuri Gllava, terreni është tejet i vështirë për shkak se pylli nuk është pastruar prej më shumë se 50 vitesh, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen me mjete të specializuara.

Në vendngjarje ndodhen katër mjete zjarrfikëse, forca të bashkisë dhe banorë të zonës që po përpiqen të mbajnë flakët nën kontroll me mjete rrethanore. Era e fortë po përhap zjarrin në disa drejtime, duke rrezikuar zonat e banuara përreth.

Për natën janë vendosur në gatishmëri dy mjete zjarrfikëse, ndërsa për nesër është parashikuar një ndërhyrje nga ajri nëse situata përkeqësohet. Autoritetet apelojnë për veprime të shpejta për të shmangur një katastrofë të mundshme mjedisore dhe njerëzore.