Ballina Shqiperia ime Të arrestuarit e “BANKERS” seanca në Apel, ambasada kineze përjashtohet nga seanca

Të arrestuarit e “BANKERS” seanca në Apel, ambasada kineze përjashtohet nga seanca

Dhjetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë “Bankers Petroleum”, përfshirë ish-drejtorin Leonidha Çobo dhe drejtorin aktual, shtetasin kinez Hongping Xiao, u paraqitën sot para Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të dhënë më herët nga Gjykata e Fierit. Ata përballen me akuza të rënda që lidhen me një skemë të dyshuar mashtrimi financiar, e cila sipas Prokurorisë, ka dëmtuar rëndë interesat fiskale të shtetit shqiptar.

Prokuroria ka ngritur një sërë akuzash ndaj të arrestuarve, përfshirë:

  • Krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në (neni 144/a),
  • Fshehja e të ardhurave (neni 180/3),
  • Pastrimi i produkteve të veprës penale (neni 287),
  • Shpërdorimi i detyrës (neni 248),
  • dhe Moskryerja e detyrave nga organet tatimore (neni 181/a).

Dosja hetimore tregon se drejtues të “Bankers” kanë ndërtuar një sistem të sofistikuar shmangieje tatimore, ndërsa fitimet e padeklaruara dyshohet se janë kanalizuar në aktivitete për pastrimin e parave. Hetimet janë zgjeruar dhe dyshohet për përfshirjen e zyrtarëve të administratës tatimore dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, ndërsa përfaqësues të Ambasadës së Kinës në Tiranë, të pranishëm jashtë gjykatës, nuk u lejuan të hyjnë në sallë. Prania e tyre tregon interesin diplomatik të Pekinit për fatin e shtetasit të tij, Hongping Xiao.

Gjykata e Apelit pritet të marrë një vendim në ditët në vijim, ndërkohë që skandali i “Bankers Petroleum” shihet si një ndër çështjet më të mëdha financiare në duart e drejtësisë shqiptare dhe test për integritetin e institucioneve që merren me hetimin e krimit ekonomik.