Ballina Shqiperia ime Hyn në fuqi ligji i ri për bashkëpronësinë në pallate,rregullat për banorët

Hyn në fuqi ligji i ri për bashkëpronësinë në pallate,rregullat për banorët

Ka hyrë në fuqi ligji i ri për bashkëpronësinë në pallate, një ndër nismat më të rëndësishme për rregullimin e jetesës kolektive në ndërtesa me shumë banorë. Ligji nr. 55/2025 “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, i miratuar nga Kuvendi më 3 korrik dhe tashmë i publikuar në Fletoren Zyrtare, sjell rregulla të reja dhe të detyrueshme për të gjithë banorët.

Në një vend ku bashkëjetesa në pallate shpesh ka qenë burim konfliktesh dhe paqartësish, ky ligj vendos një bazë të re ligjore për administrimin, mirëmbajtjen dhe përfaqësimin e hapësirave të përbashkëta.

Çfarë parashikon ligji i ri?

Administrator i detyrueshëm për çdo pallat

Çdo ndërtesë me më shumë se një pronar duhet të ketë një administrator të certifikuar nga bashkia – mund të jetë një banor ose një shoqëri e specializuar. Kontrata me administratorin është detyruese dhe ka afat minimal trevjeçar.

Hapësirat e përbashkëta me status të qartë ligjor

Shkallët, ashensorët, bodrumet, garazhet, fasadat, oborret apo tarracat do të regjistrohen në Kadastër si pasuri në bashkëpronësi, në emër të të gjithë banorëve.

Vendimmarrje me shumicë dhe fuqi detyruese

Mbledhjet e asamblesë së bashkëpronarëve do të kenë rol vendimmarrës. Vendimet e miratuara me shumicë do të jenë të detyrueshme për të gjithë banorët, duke shmangur bllokimet nga pakica.

Detyrime për ndërtuesit

Shoqëritë ndërtuese janë të detyruara të administrojnë pallatin deri në dorëzimin zyrtar te banorët dhe të përfshijnë në kontrata aktin e bashkëpronësisë dhe rregulloren e brendshme.

Roli i bashkive dhe transparenca me e-Albania

Bashkitë do të mbikëqyrin administratorët, do të përditësojnë librin e bashkëpronësisë dhe do të kenë të drejtë të vendosin gjoba për shkeljet. Të dhënat dhe dokumentet e bashkëpronësisë do të jenë të aksesueshme online përmes platformës e-Albania.

Ky ligj i ri synon të sjellë më shumë rregull, përgjegjësi dhe bashkëpunim mes banorëve të ndërtesave kolektive, duke ruajtur vlerën e pronës së përbashkët dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës urbane në qytetet shqiptare. Për herë të parë, jetesa në pallat trajtohet si një marrëdhënie e formalizuar ligjore, dhe jo më si çështje vullneti apo mirëkuptimi mes fqinjëve.