Ballina Shqiperia ime Balluku: Dënim maksimal për zjarrvënësit e qëllimshëm

Balluku: Dënim maksimal për zjarrvënësit e qëllimshëm

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar me tone të ashpra ndaj rasteve të zjarrvënieve të qëllimshme që kanë përfshirë disa zona të vendit ditët e fundit.

Gjatë një deklarate nga Bulqiza, Balluku theksoi se autorët e zjarrvënieve do të përballen me dënime maksimale dhe se identiteti i tyre do të bëhet publik për të dekurajuar raste të tilla në të ardhmen.

“Është e patolerueshme kjo që po ndodh. Nuk është vetëm në Bulqizë, por në të gjithë Shqipërinë,” – tha Balluku.

Situatë kritike në jug, por pa humbje në jetë njerëzish

Ministrja nënvizoi se situata mbetet veçanërisht e rënduar në jug të vendit, ku disa vatra zjarri janë ende aktive, por theksoi se nuk janë regjistruar humbje në jetë njerëzish, çka është një arritje falë angazhimit të strukturave shtetërore.

“Është bërë një punë e shkëlqyer nga punonjësit e policisë, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura. Ata kanë qenë në vijën e parë të kësaj beteje me flakët,” – u shpreh ajo.

Thirrje për ndërgjegjësim dhe vlerësim për strukturat e shtetit

Balluku shprehu mirënjohje për të gjithë personelin e angazhuar në terren dhe bëri thirrje për ndërgjegjësim qytetar, ndërsa u shpreh optimiste se ulja e temperaturave ditët në vijim do të ndihmojë në shuarjen e zjarreve dhe rikuperimin e dëmeve.