Pas rrëzimit të 12 ankimimeve nga Kolegji Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i lirë tashmë t’u japë mandatet deputetëve fitues nga zgjedhjet e 11 majit.
Bëhet fjalë për tre qarqet e fundit që mbeteshin në pritje – Fierin, Elbasanin dhe Durrësin. Të hënën, kryekomisioneri Ilirian Celibashi pritet të shpallë zyrtarisht shpërndarjen e mandateve, duke mbyllur kështu procesin zgjedhor të pranverës.
Në qarkun e Durrësit, Partia Socialiste merr 8 mandate, ndërsa koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore përfiton 6 mandate. Në Fier, ku PS doli me rezultat të thellë, do të shpërndahen 12 mandate për socialistët dhe 4 për opozitën. Edhe Elbasani ndjek të njëjtin shembull: 10 mandate për PS dhe 4 për PD-ASHM.
Këto tre qarqe ishin pjesë e një vendimi të mëparshëm të KAS për rinumërim të kutive, pasi opozita pretendonte parregullsi në numërim. Por procesi i rinumërimit nuk solli ndryshime në rezultatet përfundimtare, përveç një rotacioni të brendshëm mes kandidatëve të PS në Fier.
Opozita vazhdoi më tej me ankimimet, këtë herë në Kolegjin Zgjedhor, duke kërkuar pavlefshmëri të rezultateve të 11 majit. Por edhe këto pretendime u rrëzuan, duke i hapur rrugë përmbylljes përfundimtare të procesit zgjedhor dhe shpërndarjes së mandateve.