Policia Bashkiake në Fier ka nisur një aksion të gjerë në terren për të liruar hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme, kryesisht në blloqet e pallateve. Aksioni ka filluar nga Rajoni nr. 3, një nga zonat më të populluara të qytetit, ku janë konstatuar ndërhyrje të shumta në rruge lagje, hapësira për fëmijë dhe hyrje pallatesh.
Sipas njoftimit zyrtar, ky operacion do të shtrihet në të gjithë qytetin dhe do të vijojë deri në lirimin e plotë të hapësirave publike. Ndërhyrjet përfshijnë largimin e pengesave si struktura metalike, garazhe të ndërtuara pa leje, dyer të vendosura në mënyrë arbitrare dhe mjete të parkuara në mënyrë të paligjshme në ambiente të përbashkëta.
Qytetarët janë njoftuar paraprakisht përmes afisheve dhe paralajmërimeve në hyrjet e pallateve, ndërsa strukturat bashkiake kanë theksuar se do të veprojnë me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje që cenon të drejtën kolektive për lëvizje dhe akses publik.