Vijon edhe sot në zonën e Thethit operacioni i ndërmarrë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me mbështetjen e Policisë së Shtetit, për prishjen e ndërtimeve pa leje.
raportohet prani e shtuar e forcave të policisë, të cilat janë vendosur në formacion sigurie përgjatë zonës ku po zhvillohet ndërhyrja.
Po ashtu, në vendngjarje ndodhen mjete të rënda (fadroma), të cilat po vijojnë me shembjen e objekteve të evidentuara si të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.
Ky është dita e gjashtë e aksionit që ka nisur në bazë të një urdhri të lëshuar nga Kryeministri, në funksion të mbrojtjes së territorit dhe ligjshmërisë në zonat e mbrojtura.
Gjatë ditës së djeshme, aksioni u shoqërua me tensione mes banorëve dhe forcave të rendit, ndërsa janë regjistruar përplasje verbale dhe momente përshkallëzimi.
Ndërhyrja në zonën e Thethit ka nxitur edhe reagime nga subjekte politike dhe përfaqësues të komunitetit fetar. Kisha Katolike në Shkodër ka bërë thirrje për ruajtje të qetësisë, dialog dhe komunikim mes banorëve dhe institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që situata të menaxhohet pa përplasje.