Ballina Shqiperia ime Bankers, aktivitet 20-vjeçar me humbje – Inxhinieri ngre pyetjen: Nëse ka humbje...

Bankers, aktivitet 20-vjeçar me humbje – Inxhinieri ngre pyetjen: Nëse ka humbje pse kërkon zgjatje kontrate?

Edhe inxhinieri i naftës, Fatmir Shehu, beson se kompania Bankers Petroleum ka kryer evazion fiskal në vendin tonë, për faktin se pavarësisht se ka rezultuar me humbje, ka vijuar aktivitetin në vendin tonë.

Kompania e naftës, Bankers Petroleum, është përfshirë në një hetim nga prokuroria me akuzën e evazionit fiskal për 20 vite. Inxhinieri i Naftës, Fatmir Shehu, deklaroi në studion e TV Scan se nafta është një aset strategjik kombëtar, që zhvillon ekonominë.

Sipas tij, mjafton vetëm fakti që Bankers ka kërkuar një shtyrje të kontratës edhe me 5 vite, që të bën të mendosh se ka qenë fitimprurëse. Por, nëpërmjet fryrjes artificiale të shpenzimeve ka shmangur detyrimet tatimore, duke shkaktuar miliona euro dëm në buxhetin e shtetit.

“Kompania po kërkon shtyrje të afatit. Ky është një sinjal që tregon se Bankers nëse kërkon shtyrje afati nuk është në kushtet e humbjes, por është në kushtet e fitimit. Problem më i madh, mendoj unë, është që në kontratë. Është pranuar që investimet të shlyhen brenda vitit. Ata, për shembull, shpojnë puse dhe investojnë 100 milionë dollarë. Atëhere, nga nafta që shesin brenda këtij viti, do të mbulojnë këto 100 milionë dollarë”, tha Shehu.

Gjithashtu, z. Shehu deklaroi se Shqipëria ka rezerva të mëdha nafte, të cilat mund të nxirren me një kosto të ulët për të qenë konkurrues në treg. Sipas tij, tashmë ka ardhur koha që Shqipëria të ndërtojë rafineritë e naftës, në mënyrë që përpunimi të bëhet në vend.

Kompania Bankers Petroleum mbase ka përfituar edhe nga kushtet e kontratës, sepse sipas marrëveshjes, sapo të mbuloheshin kostot e investimit, kompania duhej të paguante 50% tatim mbi fitimin neto. Zyrtarisht kompania deklaron se ende nuk janë rikuperuar kostot e investimit, por të dhënat financiare dhe hetimi i Administratës Tatimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, tregojnë të kundërtën.