Ballina Shqiperia ime Detaje-Arrestohet CEO i Bankers Petroleum për një skemë mashtrimi me të ardhurat

Detaje-Arrestohet CEO i Bankers Petroleum për një skemë mashtrimi me të ardhurat

Shefi ekzekutiv i Bankers Petroleum, kompanisë më të madhe të nxjerrjes së naftës në vend, Hongping Xiao dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Leonidha Çobo u arrestuan të mërkurën me urdhër të Prokurorisë së Fierit me akuza për krijimin e një skeme mashtrimi me të ardhurat, pastrimin e produkteve të veprës penale si dhe shpërdorim detyre.

Ndërkohë, një drejtues i Policisë i tha BIRN se 4 urdhër arreste të tjera nuk janë ekzekutuar ende  nga Policia, pasi personat e kërkuar janë shtetas të huaj dhe nuk ndodhen në Shqipëri.

Operacioni i Policisë në zyrat e Bankers u filmua nga mediat lokale që u sinjalizuan për praninë e policisë aty. Drejtues të Prokurorisë së Fierit thanë se do të dalin me një njoftim për mediat, ndërsa një burim nga kjo prokurori konfirmoi vetëm akuzat për Xiao dhe Çobon.

Në hetimet për rastin është përfshirë edhe Drejtoria e Hetimit Tatimor.

Bankers Petroleum është themeluar në vitin 2004 si një kompani e vogël e regjistruar në bursë, ndërsa ajo u fuqizua me shpejtësi përgjatë viteve në vijim pasi mori me koncesion shfrytëzimin e burimeve të naftës në Patos – Marinzë, e cila është burimi më i madh i prodhimit të naftës në Shqipëri.

Kompania nënshkroi një kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare në vitin 2004, në bazë të së cilës, fitonte të drejtën për të shfrytëzuar burimin e naftës Patos-Marinzë. Kontrata koncesionare parashikonte që Bankers duhej të investonte për të rritur prodhimin e naftës dhe duhej t’i paguante qeverisë shqiptare 50 për qind normë fitimi pasi të shlyente investimet fillestare.

Kjo nuk është hera e parë që autoritete e vendit hetojnë kompaninë Bankers Petroleum, të cilën e kanë akuzuar për mospagim të plotë të detyrimeve ndaj shtetit. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore akuzoi Bankers në vitin 2012 për shmangie të pagesave ndaj shtetit përmes nënkontraktimeve të shtrenjta. Çështja u dërgua në arbitrazh dhe në verën e vitit që shkoi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës njoftoi se shteti shqiptar kishte fituar padinë në arbitrazh. BIRN Edmond Hoxhaj