Gjenden të fshehura në murin e një ndërtese dhe sekuestrohen 2 armë zjarri automatike, mbi 2200 fishekë luftarak dhe 12 granata difensive.
Armët e zjarrit dhe municioni do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertim.
Procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, pronari i ndërtesës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në një ndërtesë të vjetër të pabanuar, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në katin e dytë të së cilës gjetën të murosura disa armë dhe municion luftarak.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 armë zjarri automatike, 12 granata difensive pa ndezës, 14 ndezës granatash të mbështjellë me letër dhe rreth 2200 fishekë luftarak.
Armët dhe municioni do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertim të mëtejshëm, me qëllim përcaktimin nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.
Nga verifikimet rezultoi se ndërtesa ku u gjetën armët dhe municioni është në pronësi të shtetasit Gj. K., 67 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, i cili, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës dhe të gjendjes shëndetësore.