Ballina Shqiperia ime Emigranti shqiptar në Britani udhëtim nga Cambrige në Tropojë

Emigranti shqiptar në Britani udhëtim nga Cambrige në Tropojë

Një rrugëtim i jashtëzakonshëm ka marrë vëmendjen e shqiptarëve: Seb Ponari, emigrant shqiptar nga Tropoja me banim në Angli, ka përshkuar 2750 kilometra në 40 ditë, nga Cambridge në Tropojë, vetëm në këmbë dhe duke vrapuar.

Në pikën doganore të Hanit të Hotit, ku u prit nga familjarë e qytetarë, Seb shpërtheu në lot sapo preku tokën shqiptare.

Sfida e tij personale nisi si një nismë e rastësishme, por u kthye në një pasion dhe më pas në një udhëtim ekstrem që e çoi përmes nëntë shteteve, me një qëllim të vetëm – të mbërrinte në vendlindje.

Ai e cilëson këtë si një betejë me vetveten, jo vetëm fizike, por edhe mendore, përballje që vijon ende.

Sfida e tij përmbyllet zyrtarisht të hënën, kur ai do të arrijë në varrin e të atit në Tropojë, në përvjetorin e 10-të të ndarjes së tij nga jeta – moment që ishte edhe nxitja më e madhe e këtij rrugëtimi emocional.
Por udhëtimi nuk mbyllet këtu. Seb njofton se do ta çojë sfidën deri në jug të Shqipërisë, për ta përmbyllur duke shijuar bukuritë e rivierës shqiptare – një mënyrë simbolike për t’i dhënë vetes paqe pas një rruge të lodhshme, por të mbushur me emocione të thella.