Ballina Shqiperia ime Për çfarë kërkojnë të financohen më shumë fermerët?

Për çfarë kërkojnë të financohen më shumë fermerët?

Fermerët kanë pasur interes të lartë për të përfituar subvencione përgjatë këtij viti. 69.917 aplikime janë regjistruar në e-Albania nga fermerët apo Shoqëri të Bashkëpunimit Bujësor për të pasur akses nga fondet e vëna në dispozicion për financimin e sektorit bujqësor përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2025. 

Aplikimet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi janë hapur më 14 Prill  dhe janë mbyllur me 30 maj 2025. Por si ka qenë interesi i fermerëve sipas masave që do të mbështeten me fonde këtë vit?

Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, më shumë aplikime janë regjistruar për skemën e naftës, me afro 52.837 aplikime, e cila këtë vit  ka ndryshuar pasi fermerët do të marrin pagesa cash.

Po ashtu, interes të lartë ka pasur për blegtorinë, me 10 095 aplikime, nga të cilat, 5670 janë për të imta dhe 4425 për gjedhë.

Për mbështetjen e bletarisë këtë vit janë regjistruar 4510 aplikime në total.

Për bimët aromatiko-mjekësore janë 1407 aplikime, për sera 893 aplikime, GLOBAL GAP 203 aplikime dhe ferma organike 26 aplikime.

Sa i takon shpërndarjes gjeografike, edhe këtë vit numri më i lartë i aplikimeve është në qarqet ku bujqësia dhe blegtoria është më e zhvilluar, si Fier, Korçë, Berat dhe Elbasan.

Pas aplikimit me vetëdeklarim në e-Albania, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural do të nisë procesin e verefikimit dhe plotësimin e dosjeve për secilin aplikant. Një pjesë e mirë e dokumentacionit gjenerohet direkt na e-albania, ndërsa pjesa tjetër duhet të dorëzohet nga fermerët.

Ndër kriteret kryesor është toka në pronësi apo përdorim të fermerëve përmes një kontrate qiraje të noterizuar si dhe mospasja e detyrimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Nga ana tjetër,  për mbjelljet e bëra paraprakisht, apo për numin e krerëve në blegtori dhe numrin e koshereve në bletari,  do të kryhet vereifikimi në terren.   Pas përfundimit të të gjithë procedurës, do të nisë disbursimi i fondeve për fermerët.

Fondi është 3.2 miliardë lekë dhe do ti jepet më shumë prioritet në financim shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, të cilat do mund të përfitojnë në masën 100%.