1 miliard lekë për rrugët, FSHZH hap tenderin për ndërhyrje në të gjithë vendin


Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur një tender me vlerë 1 miliard lekë për realizimin e ndërhyrjeve që synojnë përmirësimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe funksionalitetit të rrjetit rrugor në Shqipëri.

Projekti parashikon një paketë të gjerë investimesh infrastrukturore, që përfshijnë rehabilitimin e segmenteve të dëmtuara, stabilizimin e trupit të rrugëve dhe skarpatave, si dhe përmirësimin e sistemeve të drenazhimit.

Sipas raportit teknik, ndërhyrjet do të fokusohen edhe në rehabilitimin e urave dhe veprave të artit, rikonstruksionin e shtresave rrugore, si dhe vendosjen e sinjalistikës dhe barrierave mbrojtëse për rritjen e sigurisë rrugore.

Ky investim synon të rrisë sigurinë e qarkullimit, të përmirësojë cilësinë e udhëtimit dhe të reduktojë kohën e lëvizjes për qytetarët, ndërsa pritet të zgjasë edhe jetën e infrastrukturës ekzistuese.

Punimet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit, bazuar në problematikat e identifikuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe prioritetet e përcaktuara nga autoriteti kontraktor.

Një pjesë e fondit do të dedikohet gjithashtu për rritjen e sigurisë në kantieret e ndërtimit, në zbatim të standardeve ligjore për mbrojtjen e punëmarrësve gjatë realizimit të punimeve.