Tatimpaguesit që nuk paguajnë në kohë detyrimet e tyre, rrezikojnë bllokim të automjeteve personale apo të biznesit.
Administrata Tatimore ka nënshkruar një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bazë të së cilës është mundësuar kërkimi i të dhënave mbi mjetet e tatimpaguesve në kohë reale në sistemin tatimor.
Të gjithë tatimpaguesit në zbatim të legjislacionit në fuqi duhet të përmbushin në afat shlyerjen e të gjitha detyrimet tatimore, pasi në të kundërt Administrata Tatimore do të vendosë masa të sigurimit mbi mjetet dhe do të zbatojë të gjitha procedurat e mbledhjes me forcë.
Tatimet ju bën thirrje tatimpaguesve të përmbushin detyrimet tatimore në mënyrë vullnetare dhe të mos tjetërsojnë pasuritë e tyre për të shmangur këto detyrime.
Çdo subjekt që hyn në transaksione shit-blerje të mjeteve, duhet të sigurohet që mjetet objekt transaksioni nuk i përkasin tatimpaguesve debitorë. Tatimet theksojnë se çdo akt i nënshkruar në keqbesim ndërmjet palëve me qëllim shmangien e detyrimeve ndaj Administratës Tatimore do të sjellë pasoja ligjore për pavlefshmëri.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Kontrollit të Specializuar pranë Administratës Tatimore ka nisur kontrollin për makinat e luksit të blera nga individë të paregjistruar në organet tatimore. Sipas njoftimit të tatimeve, nga të dhënat e vëna në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor rezulton se 400 automjete janë blerë gjatë vitit 2023-2024 nga persona të cilët nuk kanë të ardhura të deklaruara!
Administrata Tatimore u sugjeron individëve të deklarojnë të ardhurat e përdorura për blerjen e këtyre mjeteve në mënyrë që të shmangin penalitetet. Sipas tatimeve, të gjithë individët që zotërojnë automjete të kategorisë luksoze do të përfshihen në procesin e verifikimit nëpërmjet analizës së: Të ardhurave të deklaruara pranë Administratës tatimore; Përputhshmërisë së tyre me vlerën e pasurive të zotëruara; Dokumentacionit justifikues të burimit financiar.